Ambasada Sllovene dhe Oda Sllovene e Bizneseve bashkojnë bizneset sllovene në Kosovë

Ambasadorja e Sllovenise znj. Minca Benedejčič dhe Drejtori i Odës Sllovene të Bizneseve, z. Bajram Fusha organizuan një mbledhi joformale për përfaqësuesit e bizneseve sllovene në Kosovë dhe përfaqësuesit e Institucioneve të Qeverisë me qëllim të këmbimit të përvojave dhe krijimit të një ambienti favorizues për Bizneset në Kosovë.

Ambasadorja Benedejčič, në fjalën e saj hyrëse, theksoi bashkëpunimin tradicionalisht të mirë dhe nivelin e lartë të marrëdhënieve ndërmjet Sllovenisë dhe Kosovës. Ajo shprehu kënaqësinë për dialogun e rregullt politik dhe bashkëpunimin shumëplanësh ndërmjet Sllovenisë dhe Kosovës. Ajo theksoi rolin e spikatur që i është dhënë rajonit të Ballkanit Perëndimor nga Presidenca aktuale sllovene e Këshillit të BE-së dhe përmendi samitin BE-Ballkani Perëndimor të organizuar nga Sllovenia më 6 tetor.

Siç e dimë kosovarët dhe sllovenët kanë një lidhje emocionale që nga kohët e lashta, duke ja shtuar kësaj kualitetin e produkteve sllovene, korrektësinë në të bërit biznes, kulturën dhe përkushtimin në afarizëm që bëjnë që produktet Sllovene të jenë atraktive dhe të kërkuara në tregun dhe tryezat tona,tha z.Fusha.

Në këtë ambient të ngrohtë, u ngrit dolli për afaristë e suksesshëm dhe mbështetjen e dhënë nga ambasadorja Benedejčič.

Oda Sllovene e Bizneseve në vazhdimësi po ndërton, mirëmbanë dhe zhvillon rrjetin e bizneseve slloveno-kosovare me aktivitetet e sivjetshme siç janë vizitat e bizneseve kosovare në panairet AGRA 2021 Gornja Radgona dhe MOS 2021 Celje.

Dyert e Odës Sllovene të Bizneseve ne Prishtine janë gjithmonë të hapura për kompanitë që kanë interesa të ndërlidhen me tregun Slloven, e përmes tij si portë edhe në tregun Europian.